Kastro Ziso: “Jam i lumtur, do të bëhem baba i një princeshe”


Kantautori i njohur, të hënën në kinematë shqiptare si aktor në filmin “Pharmakon”
Ilda Lumani
Ndërsa publiku shqiptar për herë të parë do të vendosë notën për të si aktor, Kastro Ziso na vjen në këtë intervistë me plot të reja. Të hënën, në kinema “Millenium” do të shfaqet premiera e filmit të Joni Shanajt, “Pharmakon”, ku protagonist është Kastro, ndërsa në muajin maj ai do të bëhet baba i një vajze, Kastro na tregon në këtë intervistë dhe për një impenjim mjaft serioz, siç është hapja e një televizioni në Prishtinë, ku ai do të sjellë edhe një program të vetin. Për më tepër le të mësojmë përmes kësaj interviste mjaft interesante.
Kastro, jeni zhvendosur sërish në Prishtinë për të nisur një jetë të re. Si do ta përshkruanit këtë periudhë?
Si një nga periudhat më të bukura, pasi po pres një princeshë të vogël të vijë në jetë. Sa për rikthimin tim në Prishtinë, nuk do të thosha se është me kohë të plotë, unë jam vazhdimisht në lëvizje Prishtinë-Tiranë, së bashku me Erletën. Praktikisht janë tokat tona dhe unë e kam të njëjtë të jetoj si në Prishtinë apo në Tiranë. Këto kohë po merrem me hapjen e një televizioni të ri këtu, që do të jetë totalisht një surprizë në tregun shqiptar!
Kur do të bëheni baba sërish dhe çfarë ndjesie po përjetoni në këtë pritje?
Vajza pritet të vijë në jetë në muajin maj dhe është një nga ndjesitë më të bukura, përveç faktit që pritet një fëmijë, por që për një mashkull vajza të sjell të tjera ndjesi!
Përpos jetës personale në Prishtinë po bëni plane që kanë të bëjnë me televizionin. Mund të na tregoni konkretisht për planet tuaja?
Ju thashë për hapjen e një televizioni të ri, si dhe fillimin e një emisioni timin në formën e realit-showt.
Këto ditë jeni rikthyer në vëmendjen e medias, këtë herë si personazhi kryesor i filmit “Pharmakon”, një film që ka disa vite që është realizuar. Jeni i emocionuar në këtë përballje të re me audiencën këtë herë si aktor?
Në fakt, nuk është hera e parë që unë merrem me film apo aktrim, pas një eksperience në teatër me pjesën “VENECIA” të Spiro Dunit dhe shumë filmave me metrazh të shkurtër të realizuar nga unë, unë vij si protagonist në filmin “Pharmakon” me regjisor Joni Shanaj, një mik i shtrenjtë për mua dhe një ndër fytyrat e reja dhe shumë premtuese në kinemanë shqiptare. Filmi ka rreth 3 vjet që është xhiruar dhe pas gjithë kësaj kohe vërtet që mezi e pres ta shoh dhe mbi të gjitha të shoh reagimet e njerëzve në këtë eksperiencë time të re, si aktor, a do të pranohem ashtu si këngëtar apo producent në treg apo jo?! Kjo është pyetja ime e këtyre kohëve…
Keni punuar me aktoren Olta Gixhari, e cila vjen edhe ajo për herë të parë shfaqet në një film dhe aktorin e mirënjohur Niko Kanxheri, ndërkohë që regjisor i filmit është Joni Mevlani, pra një staf më së shumti i ri. Mund të na tregoni si ka qenë puna në këtë grup?
Me grupin ka qenë një punë shumë e mirë dhe solide. Mund të them gati-gati e vështirë, por, në kushtet dhe buxhetin që është realizuar filmi, mendoj se do të jetë risi dhe një “brom” në tregun kinematografik shqiptar. Të punosh me aktorë të mëdhenj ndonjëherë të sjell probleme në vete duke ia ulur pak autostimën vetes, por që menjëherë kur të ofrohet një atmosferë e ngrohtë vet ti ndihesh si një STAR. Sa për profesor Nikon, për mua është ndër kolosët e mjeshtërisë së aktrimit dhe ke shumë për të mësuar nga ai. E dua shumë dhe mendoj se është një ndër rolet më të bukura dhe më sfiduese që ai ka pas në karrierë. Të punoje me Oltën, gjithashtu, ka qenë shumë e lehtë, sepse ajo është një profesioniste e vërtetë dhe jo më kot është përzgjedhur nga regjisori për këtë film. Kur punon me njerëz profesionistë, puna vetëm lehtësohet. Nuk dua të harroj dhe aktorin nga Vlora, Vaso Goda, që gjithashtu është një mjeshtër i vërtetë në film, gjithashtu me të kemi pas një unitet të madh.
E shihni veten më tej pjesë e kinemasë shqiptare, apo gjithçka varet se nga pritja që do t’i bëjë publiku këtij filmi?
Unë jam gjithmonë në pritje të ofertave të ndryshme, pse jo! Më pëlqen të aktroj dhe do të vazhdoj ta bëj. Mbase vërtetë kthehem në një fytyrë kinematografike të Shqipërisë, por dhe jashtë saj.
Erleta do të vijë në premierën e filmit?
Ende nuk është përcaktuar nëse Erleta do të vijë, pasi ajo është në javët e fundit të shtatzënisë dhe nuk duam që të rrezikojmë shëndetin, qoftë dhe për premierën e filmit. Ajo mezi pret të dalë dhe të pritet mirë nga publiku, të tjerat pak rëndësi kanë. Pastaj pse të bëjë gjithë ato kilometra kur burrin e vet e ka çdo ditë e natë në krahë (qesh)!
Për sa i përket muzikës, kemi diçka të re për fansat tuaj?
Sa për muzikën i kam shumë projekte që më duhet t’i nxjerr besoj para verës. Ndër këto spikaten shumë bashkëpunime, një me Dj Blunt dhe Real 1, si dhe 3 këngë të tjera surprizë. Jam ende në pritje të përfundimit me Bob Sincler që shpresoj këtë verë të dalë!

Comments

Popular posts from this blog

PROTAGORA: Njeriu është masë e të gjitha gjërave

Kush është Frederik Shopen

OGUST KONTI: Për të krijuar shoqërinë e re çdo fantazi e vjetër duhej të lihej mënjanë, qoftë kjo e Zotit opo e dogmave metafizike, për barazinë apo sovranitetin e popujve